Obligueshmëria e falënderimit për mirësitë dhe kujdesi nga shpenzimi i tyre jo aty ku duhet - Imam Abdul Aziz Ibn Bazi




Obligueshmëria e falënderimit për mirësitë dhe kujdesi nga shpenzimi i tyre jo aty ku duhet

Falënderimi i takon vetëm Allahut, ndërsa paqja dhe bekimet janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen dhe shokët e tij.
E më tej:

Allahu mund t'i sprovojë robërit e Tij me varfëri dhe rrethana shtrënguese, ashtu siç u ndodhi banorëve të këtij vendi në fillim të shekullit të katërmbëdhjetë.

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ بِشَيْءٍ مِنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنْفُسِ وَالثَّمَرَاتِ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ الَّذِينَ إِذَا أَصَابَتْهُمْ مُصِيبَةٌ قَالُوا إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ﴾

"Ne do t'ju sprovojme me ndonjë gjë prej frikës, urisë, me pakësim të pasurisë, të jetës dhe të frutave (të mbjellave), por përgëzoi të durueshmit. Të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi!" Bekare: 155-156

Po ashtu, Ai i sprovon ata edhe me mirësi dhe bollëk në furnizim (rrizk), ashtu siç është realiteti ynë sot; me qëllim për të vënë në provë besimin dhe falënderimin e tyre.

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿إِنَّمَا أَمْوَالُكُمْ وَأَوْلادُكُمْ فِتْنَةٌ وَاللَّهُ عِنْدَهُ أَجْرٌ عَظِيمٌ﴾

"Pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, ndërsa tek Allahu është shpërblimi i madh." Tegabun: 15

Përfundimi i lavdishëm në çdo situatë u takon të devotshmëve, punët e të cilëve janë në përputhje me atë që ka ligjëruar Allahu; siç është durimi dhe shpërblimi i shpresuar (prej Tij) në gjendje varfërie, si dhe falënderimi i Allahut për mirësitë dhe shpenzimi i pasurisë aty ku duhet, kur janë në gjendje bollëku.

Pjesë e maturisë është shpenzimi i pasurisë në rrugët e duhura, si në ushqim dhe pije, pa u treguar koprrac ndaj vetes dhe familjes, si dhe pa e tepruar (pa bërë israf) në shpërdorimin e pasurisë pa pasur nevojë.

Allahu i ka ndaluar të gjitha këto, duke thënë:

﴿وَلا تَجْعَلْ يَدَكَ مَغْلُولَةً إِلَى عُنُقِكَ وَلا تَبْسُطْهَا كُلَّ الْبَسْطِ فَتَقْعُدَ ملومًا مَحْسُورًا﴾

"Mos e bëj dorën tënde të lidhur pas qafës (mos u bëj koprrac) dhe as mos e shtrij atë me tërë gjerësinë (mos shpërdoro), që të mos mbetesh i qortuar dhe i shkretë (pa asgjë)." Isra: 29

Dhe Allahu i Lartësuar ka thënë duke ndaluar shpërdorimin e pasurisë:

﴿وَلا تُؤْتُوا السُّفَهَاءَ أَمْوَالَكُمُ الَّتِي جَعَلَ اللَّهُ لَكُمْ قِيَامًا﴾

"Mos u jepni mendjelehtëve pasuritë tuaja, të cilat Allahu i ka bërë për ju mjet jetese." Nisa: 5

Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar në këtë ajet ka ndaluar dhënien e pasurive tek mendjelehtët; sepse ata i shpenzojnë ato jo aty ku duhet, gjë që dëshmon qartë se shpenzimi i pasurisë jo aty ku duhet është një veprim i ndaluar.

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿يَا بَنِي آدَمَ خُذُوا زِينَتَكُمْ عِنْدَ كُلِّ مَسْجِدٍ وَكُلُوا وَاشْرَبُوا وَلا تُسْرِفُوا إِنَّهُ لا يُحِبُّ الْمُسْرِفِينَ﴾

"O bijtë e Ademit, vishuni bukur në çdo xhami (gjatë namazit), hani dhe pini, por mos e teproni (mos bëni israf), sepse Ai nuk i do ata që e teprojnë." A'raf: 31

Dhe i Pastërti nga çdo e metë thotë:

﴿وَلا تُبَذِّرْ تَبْذِيرًا إِنَّ الْمُبَذِّرِينَ كَانُوا إِخْوَانَ الشَّيَاطِينِ﴾

"Dhe mos shpërdoro (mos bëni tebdhir) në asnjë mënyrë! Vërtet, shpërdoruesit janë vëllezërit e shejtanëve." Isra: 26-27

Teprimi (israf) është: kalimi i masës në shpenzimin e pasurisë përmbi aq sa është nevoja; ndërsa shpërdorimi (tebdhir) është: shpenzimi i saj jo në rrugën e duhur.

Njerëzit sot janë sprovuar me mburrje (shfaqje për sy e faqe) në ushqime dhe pije, veçanërisht nëpër gostitje dhe dasma, saqë nuk mjaftohen me aq sa është nevoja.

Shumë prej tyre, pasi njerëzit mbarojnë së ngrëni, e hedhin ushqimin e mbetur në plehra dhe nëpër rrugë ku ai shkelet e nëpërkëmbet. Kjo gjë është mosmirënjohje ndaj mirësisë dhe bëhet shkak për pakësimin dhe zhdukjen e saj.

Prandaj, i mençuri është ai që i peshon gjërat me peshoren e nevojës. Nëse tepron diçka përmbi nevojën e tij, ai kërkon për dikë që ka nevojë për të, e nëse kjo është e pamundur, e vendos atë në një vend larg nëpërkëmbjes, me qëllim që ta hanë kafshët dhe kushdo tjetër që dëshiron Allahu, dhe kështu ai (ushqimi) shpëton nga nëpërkëmbja.

Është detyrë për çdo musliman që të jetë i kujdesshëm në largimin nga ajo që Allahu e ka ndaluar, si dhe të jetë i matur/i pjekur në veprimet e veta; duke synuar me këtë vetëm kënaqësinë e Allahut, duke qenë falënderues për mirësitë e Tij, si dhe duke u kujdesur që të mos i nënvlerësojë ato apo t'i shpenzojë jo aty ku duhet.

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿لَئِنْ شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ وَلَئِنْ كَفَرْتُمْ إِنَّ عَذَابِي لَشَدِيدٌ﴾

"Nëse falënderoni, Unë sigurisht do t'ua shtoj (mirësitë), por nëse tregoheni mosmirënjohës, vërtet dënimi Im është i ashpër." Ibrahim: 7

Dhe Allahu i Plotfuqishëm ka thënë:

﴿فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ وَاشْكُرُوا لِي وَلا تَكْفُرُونِ﴾

"Prandaj, më kujtoni Mua që t'ju kujtoj ju, më falënderoni Mua dhe mos më mohoni!" Bekare: 152

Allahu i Lartësuar ka njoftuar se falënderimi bëhet me vepra dhe jo thjesht me fjalë, duke thënë:

﴿اعْمَلُوا آلَ دَاوُودَ شُكْرًا ۚ وَقَلِيلٌ مِّنْ عِبَادِيَ الشَّكُورُ﴾

"Bëni vepra (të mira), o familje e Daudit, në shenjë falënderimi! E pak kush nga robërit e Mi është falënderues." Sebe: 13

Prandaj, falënderimi ndaj Allahut të Lartësuar bëhet me zemër, me gjuhë dhe me vepra. Kushdo që e falënderon Allahun me fjalë dhe me vepra, Ai do t'ia shtojë mirësitë e Veta dhe do t'i dhurojë një përfundim të lavdishëm. Ndërsa ai që tregohet mohues/mosmirënjohës ndaj mirësive të Allahut dhe nuk i shpenzon ato aty ku duhet, ndodhet në një rrezik të madh, sepse Allahu e ka kërcënuar atë me një dënim të ashpër.

I lutemi Allahut që t'i përmirësojë gjendjet e muslimanëve dhe t'u dhurojë atyre kuptim (fikh) të thellë në fenë e Tij; si dhe të na mundësojë neve dhe atyre që ta falënderojmë Atë për mirësitë e Tij, t'i përdorim ato si ndihmë për t'iu bindur Atij dhe për t'u bërë dobi robërve të Tij.

Vërtet, Ai e ka në dorë këtë gjë dhe është i Plotfuqishmi për ta realizuar atë.

Paqja dhe bekimet e Allahut janë mbi Pejgamberin tonë, Muhammedin, mbi familjen dhe mbi shokët e Tij.

Autor:
Imam Abdul Aziz Ibn Baz
(Allahu e mëshiroftë)

Burimi:
Mexhmu`u Fetaua ue Mekalat 4/37
Faqja Zyrtare e Imam Ibn Bazit

Përshtati:
Sulejman Kushi
14 Xhumadal Ula 1448H – 25.10.2026