Ndalimi i faljes së namazit me xhemat midis shtyllave




Ndalimi i faljes së namazit me xhemat midis shtyllave

Hadithi nr 335 – Në kohën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!) na ndalonin që të rreshtoheshim në saf midis shtyllave dhe na largonin nga ato (që të rreshtoheshim në saf midis shtyllave). [1]

Transmetohet nga Abdul Hamid Ibn Mahmud se ka thënë:
E kam falur namazin e xhumasë bashkë me Enes Ibn Malik dhe ne u shmangshim nga të qëndruarit/rreshtuarit në saf midis shtyllave, ose bënim/hecnim përpara ose bënim/hecnim pas dhe Enesi tha: U largonim me nxitim/menjëherë nga kjo gjë (rreshtimi në saf midis shtyllave) në kohën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!).[2]

Thashë (Shejkh Albani):
Ky hadith është argument i qartë në lënien e rreshtimit në saf midis shtyllave dhe se është obligim që të dalësh/hecësh para ose mbrapa tyre (shtyllave), me përjashtim kur është e domosdoshme sikurse u ka ndodhur atyre.

Gjithashtu transmeton edhe Ibnul Kasim në “El-Mudeu-uene 1/106” dhe Bejhakiu 3/104 nga Ibn Mes`udi se ka thënë:
Mos u rreshtoni në saf midis shtyllave.

Bejhakiu ka thënë:
Kjo gjë, Allahu e din më së miri, është për shkak se shtyllat i ndajnë ata nga njëri tjetri dhe e ndërpresin vazdimin e safit.

Maliku ka thënë:
Nuk ka problem për safet që bëhen midis shtyllave nëse xhamia është e mbushur plot.

Ndërsa në librin “El-Mugnij” të Ibn Kudames 2/220 thuhet:
Nuk është e urryer për imamin që të qëndrojë midis shtyllave, porse kjo gjë është e urryer për ata të cilët falen pas tij (dmth; xhematin), sepse ato (shtyllat) i ndërpresin safet. Këtë gjë e ka urryer Ibn Mes`udi, Nekha`iu, e njëjta gjë është transmetuar edhe nga Hudhejfe dhe Ibn Abbasi. Ndërsa e ka lejuar këtë gjë Ibn Sirini, Maliku, ndjekësit e opinioneve (hanefitë) dhe Ibn Mundhir, me arsyen se nuk ka argument që e ndalon diçka të tillë.

Argumenti (që e ndalon këtë gjë) i jonë është ai çfarë është transmetuar nga Muauije Ibn Kur-rah... sepse ato (shtyllat) e ndërpresin safin.

Ndërsa nëse safi është i vogël sa hapësira midis dy shtyllave, atëherë kjo gjë nuk është e urryer sepse safi nuk ndërpritet prej shtyllave.

Në librin “Fet`hul Barij” 1/477 ka thënë El-Muhib-but Taberij:
Disa prej dijetarëve e kanë urryer safin midis shtyllave për shkak të argumentit ndalues që ka ardhur për këtë dhe ndalesa ndodh atëherë kur nuk ka ngushtim në xhami. Urtësaia e kësaj gjëje është ose për shkak të ndërprerjes së safit ose ajo (hapësira midis shtyllave) është vendi i këpucëve.

Ka thënë Kurtubiu:
Është transmetuar në lidhje me shkakun/sebepin e urrejtjes së kësaj gjëje, se ai (hapësira midis shtyllave) është vendi ku falen xhindët besimtarë.

Thashë (Shejkh Albani):
Edhe minberi i gjatë i cili i ka shumë shkallë është i njëjtë në gjykim sikurse shtyllat, sepse ai e ndërpret safin e parë dhe ndonjëherë edhe safin e dytë. Ka thënë Gazali në librin “El-Ihja” 2/139:
Minberi i ndërpret disa safe dhe safi i parë i plotë (jo i shkëputur) është safi që ndodhet përpara se të hypësh në minber, ndërsa safet që gjendet në te dy anët e minberit janë të ndërprerë. Eth-Theurij thoshte; safi i parë është ai që ndodhet përballë me minberin, ai është i drejtuar, është i lidhur (dmth nuk është saf i ndërprerë) dhe sepse ai që është i ulur qëndron përpara khatibit dhe dëgjon prej tij.

Thashë (Shejkh Albani):
 Nëse minberi (nga ana e formës së tij) është në kundërshtim me minberin e Pejgamberit (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!), ai (minberi) do ta ndërpresë safin, sepse ai (minberi i Pejgamberit salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!) ka qenë me tri shkallë dhe nuk e ndërpriste safin, pasiqë imami qëndron në anë të shkallës më të ulët të minberit. Nga të këqija e kundërsthimit të sunnetit në minber është edhe rënia në ndalesë që ka ardhur në këtë hadith. Prej gjërave të ngjashme, të cilat e ndërpresin safin, janë edhe vendosja e ngrohëseve të cilat vendosen në disa xhami në mënyrë të atillë që e ndërpresin safin. Kjo gjë e ndaluar, e cila nuk i bën aspak përshtypje imamit të xhamisë apo ndonjërit prej atyre që falen në atë xhami, kjo ndodh, së pari, për shkak të largimit të njerëzve nga mësimi i kuptimit të fesë dhe së dyti, nga mosinteresimi i tyre nga largimi prej atyre gjërave të cilat i ka ndaluar dhe urryer Allahu i Lartësuar.

Gjithashtu duhet të dihet se, çdokush që kërkon të vendoësë minber të gjatë i cili e ndërpret safin apo të vendosë ngrohëse e cila e ndërpret safin, kihet frikë për të se mund të marrë mbi supe një pjesë e madhe nga fjala e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem!) ku ka thënë:
...kush e ndërpret/pren një saf Allahu e preftë.[3]

Autor:
Muhammed Nasirud-din Albani
Allahu e mëshiroftë

Burimi:
Silsiletul Ehadithis Sahihati 1/655-657 hadithi nr 335

Përshtati
Sulejman Kushi
Durrës – Shqipëri
16 Safer 1441H – 16.10.2019

 

 

[1] E transmeton Ibn Maxheh 1002. Ibn Khuzejme 1567. Ibn Hibbani 400. Hakimi 1/218. Bejhakiu 3/104 dhe Tajalisij 1073

[2] E transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ibn Hibbani, Hakimi etj me sened të saktë sikurse e kam qartësuar në Sahihu Ebi Daud 677.

[3] E transmeton Ebu Daudi me sened të saktë, sikur edhe e kam qartësuar këtë në Sahihu Ebi Daud nr 672.