- 21-10-2026
- 82 shikime Autor : Imam Muhammed Ibn Abdul Ueh-hab (Allahu e mëshiroftë!) | Kategori : -----

Dhjetë anuluesit më të mëdhenj të Islamit
Pyetje: Cilët janë anuluesit e Islamit?
Përgjigje: Ka thënë Shejkh Muhammed Ibn Abdul Ueh-hab (Allahu i Lartësuar e mëshiroftë):
Dije se anuluesit më të mëdhenj të Islamit janë dhjetë
I pari: Shirku (të bërit shok) në adhurimin e Allahut të Vetëm, i Cili nuk ka ortak.
Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit:
﴿إِنَّ اللَّهَ لَا يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَاءُ﴾
"Vërtet, Allahu nuk fal t’i bëhet Atij shirk (të bëhet dikush shok apo ortak në adhurim), por ia fal të tjerat (mëkate) kujt të dojë" Nisa: 48
Pjesë e kësaj është edhe therja e kurbanit për dikë tjetër veç Allahut, si p.sh. ai që ther për xhindet apo për tyrbet.
I dyti: Ai që vendos ndërmjetës midis vetes dhe Allahut, duke u lutur atyre, duke u kërkuar atyre ndërmjetësim (shefat) dhe duke u mbështetur tek ata; ky person ka bërë kufr (ka dalë nga feja) me konsensus (ixhma).
I treti: Ai që nuk i konsideron jobesimtarë idhujtarët (mushrikët), ose dyshon në kufrin e tyre, apo e quan të saktë rrugën/besimin e tyre; ky person ka bërë kufr me konsensus.
I katërti: Ai që beson se udhëzimi i dikujt tjetër është më i përsosur se udhëzimi i Pejgamberit (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem), ose se gjykimi i dikujt tjetër është më i mirë se gjykimi i Tij – si ata që preferojnë gjykimin me tagut (ligjet njerëzore të padrejta) përpara gjykimit të Tij – ky person është kafir (jobesimtar).
I pesti: Ai që urren diçka me të cilën ka ardhur i Dërguari (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem), edhe nëse vepron sipas saj; ky person ka bërë kufr me konsensus.
Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit:
﴿ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ كَرِهُوا مَا أَنزَلَ اللَّهُ فَأَحْبَطَ أَعْمَالَهُمْ﴾
"Kjo sepse ata e urryen atë që shpalli Allahu, prandaj Ai ua fshiu (ua bëri të pavlefshme) veprat e tyre" Muhammed: 9
I gjashti: Ai që tallet me diçka nga feja e Allahut, me shpërblimin apo me dënimin e Tij; ky person ka bërë kufr.
Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit:
﴿قُلْ أَبِاللَّهِ وَآيَاتِهِ وَرَسُولِهِ كُنتُمْ تَسْتَهْزِئُونَ ٦٥ لَا تَعْتَذِرُوا قَدْ كَفَرْتُم بَعْدَ إِيمَانِكُمْ﴾
"Thuaj: 'A me Allahun, me ajetet/shpalljet e Tij dhe me të Dërguarin e Tij po talleni? Mos kërkoni ndjesë, vërtet keni bërë kufr pasi kishit besuar" Teube: 65-66
I shtati: Magjia (sihri), ku pjesë e saj (magjisë) është edhe (es-sarfu) ndarja/urrejtja e njerëzve dhe (el-atfu) afrimi/lidhja/dashurimi (i tyre me rrugë magjike). Kushdo që e vepron këtë ose pajtohet/kënaqet me të, ka bërë kufr.
Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit:
﴿وَمَا يُعَلِّمَانِ مِنْ أَحَدٍ حَتَّىٰ يَقُولَا إِنَّمَا نَحْنُ فِتْنَةٌ فَلَا تَكْفُرْ﴾
"Por ata të dy nuk i mësonin askujt asgjë, pa i thënë më parë: 'Ne jemi vetëm një sprovë, prandaj mos bëj kufr (duke mësuar magjinë)" Bekara: 102.
I teti: Mbështetja e idhujtarëve (mushrikëve) dhe ndihma ndaj tyre kundër muslimanëve.
Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit:
﴿وَمَن يَتَوَلَّهُم مِّنكُمْ فَإِنَّهُ مِنْهُمْ ۗ إِنَّ اللَّهَ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الظَّالِمِينَ﴾
"E kushdo prej jush që i merr ata për miq, ai vërtet është prej tyre. Sigurisht, Allahu nuk e udhëzon popullin zullumqar" Maide: 51.
I nënti: Ai që beson se disa njerëz nuk e kanë obligim ndjekjen e Pejgamberit (salallahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) dhe se u lejohet dalja jashtë Sheriatit të Tij, ashtu siç iu lejua Khidrit dalja nga sheriati i Musait (alejhima selam); ky person është jobesimtar.
I dhjeti: Shpërfillja/shmangia/kthimi i shpinës ndaj fesë së Allahut, duke mos e mësuar atë dhe duke mos vepruar sipas saj.
Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit:
﴿وَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّن ذُكِّرَ بِآيَاتِ رَبِّهِ ثُمَّ أَعْرَضَ عَنْهَا ۚ إِنَّا مِنَ الْمُجْرِمِينَ مُنتَقِمُونَ﴾
"E kush është më zullumqar se ai që këshillohet me ajetet e Zotit të tij, e pastaj shmanget prej tyre? Ne vërtet do të hakmerremi ndaj kriminelëve" Sexhde: 22.
Në të gjithë këta anulues nuk ka asnjë dallim (në gjykim) midis atij që tallet (i bën me shaka), atij që është serioz, apo atij që ka frikë, përveç atij që është i detyruar me force.
Të gjithë këta anulues përbëjnë rrezikun më të madh dhe janë ndër gjërat që ndodhin më së shpeshti. Prandaj, muslimani duhet të bëjë kujdes prej tyre dhe të frikësohet mos bie në to.
I kërkojmë mbrojtje Allahut nga gjërat që sjellin zemërimin e Tij dhe dënimin e Tij të dhembshëm.
Paqja dhe bekimet e Allahut janë mbi Muhammedin.
Burimi:
Fetaua Ulemail Beledil Haram. Fq 55-57
Er-Resailu Esh-Shekhsijjeh. Fq 212-214
Durarus Sinnijjeh. Botimi i 5-të 10/91
Përshtati:
Sulejman Kushi
10 Xhumadal Ula 1448H – 21.10.2026